"Një Libër më shumë për Preshevën" nisma e cila bëri bashkë të rinjtë shqiptarë
Një grup studentësh të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi prezantuan ditën e sotme pranë bibliotekës së KolegjitUniversitar "Beder", fushatën sensibilizuese "Një Libër më shumë për Preshevën".Kjo nismë bëri bashkë personalitete të fushave të ndryshmë, politikanë, përfaqësues të botës akademike, të gazetarisë dhe shoqërisë civile.
I ftuari i nderit në këtë aktivitet ishte kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili ndau me të pranishmit lajmin e mirë se më në fund po shkon drejt zgjidhjes problematika shumëvjeçare e mungesës së teksteve shqip për nxënësit në shkollat e luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
“Marrëveshja e arritur vitin e kaluar rreth Ramës dhe Vuçiç, në të cilën kamë qenë prezent edhe unë mbi sjelljen e teksteve shkollore nga Shqipëria , ka arritur një sukses të madh.
Jemi njoftuar se tekstet shqip do të sillen nga Shqipëria drejt Serbisë për t’u harmonizuar me programin e ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe për pasojë duke nisur nga viti shkollor 2018-2019, ne do të kemi 43 tekste të reja shqip për të gjithë nxënësit tanë në Luginë, gjë e cila ndodh pas 10 vjetësh”.
Drejtuesi më i rëndësishëm vendor në Luginën e Preshevës tha se kjo pjesë ku jetojnë shqiptaret ka sfida të mëdha përpara, duke nisur nga uji i pijshëm, energjia elektrike, infrastruktura, mungesa e teksteve shkollore dhe thithja e investitorëve nga Shqipëria dhe Kosova.
Z.Arifi kërkoi edhe më shumë vëmendje dhe angazhim nga Shqipëria për Luginën e Preshevës, duke e konsideruar nismën studentore për mbledhjen e librave dhe mjeteve arsimore një simbol dhe mësim të mirë të asaj që shqiptarët në Serbi presin edhe nga politika shqiptare.
Ndërkohë Zv. Ministri i Arsimit, Sporteve dhe Rinisë i Shqipërisë, z. Shpati Kolgega e konsideroi fushatën “Një Libër për Preshevën”, një nisëm me dimension shpirtëror që bën bashkë të rinjtë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Z. Kolgega premtoi angazhimin e tij që nisma të jetë mbarëkombëtare me përfshirjen edhe të shkollave dhe universiteteve të vendit.
Publicisti dhe pedagogu Agron Tufa dha shembullin konkret të ndihmës në këtë fushatë duke dhuruar 200 libra në ndihmë të fëmijëve në shkollat e Luginës së Preshevës.
Deri tani, në pak ditë të nismës janë grumbulluar afro 1 mijë libra dhe shuma monetare nga individë dhe biznese që do të dërgohen në shkollat e Luginës së Preshevës në fillim të muajit mars.
Redaksia Online
A.D/shqiptarja.